Në Edu Talks-in e katërt do të keni mundësi që përmes një qasje interesante të njiheni me tregimin e një punëtori të përkushtuar, EDUINO Ambasadoren, Marija Mostro. Fjalët e saj do të bëjnë që t’i përkujtoni mësuesit e fëmijërisë suaj që ju kanë motivuar për t’u bërë ajo që jeni sot, ndërsa nëse jeni edukator do të mendoni se si përmes krijimtarisë suaj të jeni motivim, model dhe inspirim për nxënësit tuaj gjatë përzgjedhjes së profesionit të tyre dhe si në të vërtetë të ndikoni edhe në ndërtimin e personalitetit të tyre.

Unë jam Marija Mostro, mësuese e gjuhës angleze dhe profesioni im është më tepër se një vend pune, është një mision!” Fat i madh është kur si të rritur, do të arrijmë që të realizojmë ndonjë ëndërr të fëmijërisë. Që kur isha vajzë e vogël, e rritur në Ohër, doja që të ndihmoj dhe të mësoj, kisha shumë durim. Në SHFK “Hristo Uzunov”, e kisha një mësuese të mrekullueshme, të rreptë dhe shumë të drejtë e cila ma mbolli dashurinë për profesionin. Sot, pothuaj se pas 40 viteve, unë e jetoj ëndrrën fëmijërore dhe punoj si mësuese në shkollën e njëjtë ku kam mësuar edhe vet. Shembulli im dëshmon se roli i mësuesit mund të jetë vendimmarrës në përzgjedhjen e profesionit, e që është një përgjegjësi e madhe për ne.”   

Mësuesja Mostro në detaje na shpjegoi për përvojën e saj të punës, ndërsa ne me vëmendje të madhe e dëgjonim gjersa na fliste edhe për kujtimet fëmijërore, andaj edhe shkurtimisht konkludoi:

“Kam  15 vite përvojë si mësuese e mësimit parashkollor dhe klasor, ndërsa gjatë kësaj një dekade e gjysmë, edhe te ne por edhe në aspekt global, teknologjitë e reja e ndryshuan sistemin arsimor deri në masë të panjohur. Kur mendoj se ku ishte momenti i kthesës dhe ndryshimit, duket qartë se asgjë nuk ndodhi brenda nate, se transformimi nga arsimi klasik drejt atij modern ishte një proces që nuk u vërejt, në këtë mënyrë, me çdo gjeneratë të prindërve të rinj, vinin edhe nevojat e reja. Ja, si shembull do ta marr birin tim i cili është në klasë të shtatë.

Kur ai ishte në klasë të parë, të gjithë ishim të lumtur se në mësonjëtoren e tij kishte televizor ku mund të lëshohen prezantime për ta. Gjeneratat e sotme doemos duhet të animohen, sepse janë të rrethuar me shumë pajisje dhe përmbajtje digjitale dhe shumë shpejtë e humbin vëmendjen. Unë kur isha fëmijë, për mua mësuesja ishte e tërë bota, mundesha që të rri ulur dhe qetë për pesë orë duke e shikuar, kurse sot kjo është e tepërt. Mësuesit e sotëm në mënyrë që t’i plotësojnë nevojat e nxënësve, duhet të vrapojnë një hap para tyre, me nxënësit që kanë lindur në një ambient digjital. Ja, unë ende i preferoj fllomasterin dhe letrën. Ndonjëherë them: “Vaj halli për mua nëse nxënësit më pyesin diçka në lidhje me kompjuterët, pasi që nuk di si të përgjigjem.” Prandaj ulem, hulumtoj dhe mësoj paralelisht me ta.

Marija me një qasje të sinqertë vazhdoi të na shpjegojë në lidhje me sfidat që ka profesioni i saj, se çfarë bën për të qenë në rrjedhë me trendët dhe të mundet me të vërtetë të jetë një mësuese e vërtetë për nxënësit e vet:

“Në këtë moshë ata dëshirojnë shumë që të luajnë lojëra dhe unë meqë ligjëroj gjuhën angleze, ndonjëherë më pyesin për kuptimin e ndonjë fjale, ndërsa ajo fjalë në përditshmëri ka një kuptim, por në një lojë ajo mund të nënkuptojë diçka krejtësisht tjetër. Atëherë ju them: “Prisni të shoh, të kontrolloj. Le ta gjejmë së bashku kuptimin e saj.” Atëherë ata lirohen dhe kanë qasje miqësore. Kështu edhe rritemi së bashku! Shpesh herë ju them: “Asnjëherë nuk mund t’i dini të gjitha fjalët, prandaj ekzistojnë fjalorët dhe prandaj jam edhe unë këtu që t’ju mësoj se si të shfrytëzoni një fjalor, pa dallim nëse është elektronik ose në formë të shkruar”. Vizioni im ndaj mësimit është se ne duhet t’i mësojmë fëmijët se si t’i shfrytëzojnë informatat.”

Mësuesja Marija konsideron se qëllimi i mësuesve në erën digjitale është që t’i mësojnë nxënësit se si ti shfrytëzojnë informatat.

Edhe pse shkolla jonë nuk ka pajisje të mjaftueshme teknike, shpesh mundohem që gjatë orëve të shfrytëzoj laptop dhe ekran për prezantime. Për tabelën elektrike ka miliona faqe ku mund t’u jap detyra online, më pas e shfrytëzoj softuerin Immersive reader që ta avancojnë shkrim-leximin. Ky vit ishte specifik që do ta mbajmë mend të gjithë, un kisha përvojë në mësim me prani fizike, por jo edhe me orë online.

Gjatë mësimit online i kam përdorur softuerët edukativë siç janë: Quizizz ose Light worksheet, ku krijoja kuize ose lojë, linkun e dërgoja te secili nxënës, ndërsa ata klikonin dhe i jepnin përgjigjet e tyre. Deri sa ata përgjigjeshin unë kisha mundësi që ta ndjek tërë procesin. Bëhet fjalë për aplikacione falas që janë të shkëlqyeshme për punë, ndërsa njëkohësisht janë interesante për fëmijët sepse mësojnë përmes lojës. Kurse tani me çfarë sfida ballafaqohesha? Kishte nxënës që mësimin e ndjekin përmes telefonit dhe nuk mundeshin që ta hapin linkun. Gjithashtu kishim fëmijë nga struktura të ndryshme sociale, por edhe të tillë që nuk i kishin gjithmonë prindërit në shtëpi për t’i ndihmuar. Atëherë, disa prej tyre i kapte paniku, kurse unë ju thosha: “Qetësohu, mos u merakos.” Në fillim kishte fëmijë që madje fillonin edhe të qanin sepse nuk mundeshin qe ta hapnin linkun. Përvoja tregoi se jo të gjitha amvisëritë janë mjaftë të gatshme për t’u ballafaquar me sfidën e digjitalizimit të plotë. Ndryshime patjetër duhet të ketë, por duhet të jemi të vetëdijshëm se nxënësit në fakt janë fëmijë. Nxënësi i klasës së katërt është një fëmijë nëntë vjeçar. Patjetër duhet ta kemi të qartë se ai fëmijë ndonjëherë do të sillet në karrige, se do t’i flihet, se mund të jetë i uritur dhe do të hajë një banane para kamerës pa qenë i vetëdijshëm se të tjerët e shikojnë.”

Sipas Marijës, pedagogjia digjitale varet nga mësuesi por edhe fakti se secili edukator patjetër duhet të provojë metoda të ndryshme për të shfrytëzuar potencialin e punës dhe edukimit të fëmijëve:

“Unë mund të provoj diçka kokë më vete dhe ajo ndonjëherë mund të ketë sukses e ndonjëherë jo. Por, megjithatë, më të vegjlit më së shumti gëzohen kur punojnë me duart, gëzohen kur duhet të nxjerrin një kartelë, të luajnë bingo, kur duhet të pritet diçka, të ngjisin ose të krijojnë. Në këtë mënyrë, duke zbatuar metodën psikomotorike e përmirësojnë edhe të mbajturit mend. Jo të gjithë fëmijët mund të mësojnë në mënyrë vizuale dhe auditive. Ka fëmijë që patjetër duhet të shkruajnë diçka. Për këtë arsye, nëse nxënësi mëson vizualisht, duhet të ekspozohet ndaj përmbajtjeve vizuale. Nëse mëson në mënyrë auditive, duhet të ekspozohet në përmbajtje auditive. Nëse është kinestetik, dikush që patjetër duhet të shkruaj, të ngrihet, të ulet, ajo edhe duhet t’i mundësohet. Ndërsa ajo nuk mundet vetëm me digjitalizimin dhe librat digjital, por me një mësim të adaptuar që do t’i përcjell nevojat e tyre.”

“Kur mendoj për atë se cili është treguesi për përkushtimin e një mësuesi, gjithsesi se ato janë nxënësit e lumtur që dëshirojnë të shkojnë në shkollë. Fatkeqësisht, 80% e nxënësve tanë nuk dëshirojnë që të shkojnë në shkollë. Për këtë nuk janë fajtorë vetëm mësuesit, ka lëshime edhe në program, lëshime në atë që kërkohet prej tyre, numri i informatave që duhet t’i mësojnë…”

Këtë bisedë me entuziazëm dhe energji të madhe e finalizojmë me video leksionin më të preferuar të ambasadores tonë Marijës.  „Format e foljes have got, has got“, të vendosur në platformën EDUINO mësimi dhe me deklaratën për kënaqësinë e saj gjatë punës dhe për përzgjedhjen e profesionit:

„Nëse më pyesni se çfarë më bënë më së shumti të lumtur në profesion, do t’ju them se ajo është momenti kur ndonjë nxënës ka arritur sukses, pas një mundi të dhënë dhe ka marrë pesëshe në test, dhe do të thotë: “Unë mundem!” Atëherë, shprehja e fytyrës së tij për mua është një injeksion adrenaline. Ajo më bën shumë të lumtur dhe atëherë përsëri e fitoj motivin për t’u përpjekur sërish. Atë ndjenjë fëmija e mban mend dhe në këtë mënyrë ne ndërtojmë personalitetin. Këtu edhe shihet misioni ynë!

Nëse dëshironi që të mësoni më shumë për softuerin “Quizlet” për të krijuar edhe ju lojëra ose kuize, shikoni një pjesë të videoudhëzime, ndërsa mund të filloni me videon „Shfrytëzimi i „Quizlet“, seri e softuereve dhe kartelave për mësim“.

Vazhdojmë me Edu Talks… Deri në leximin e radhës, krijoni një mision, një vlerë dhe duajeni profesionin tuaj.

I juaji, #EduTalks.