Të nderuar mësues, profesorë, edukatorë dhe bashkëpunëtorë profesionistë,

Me kënaqsi të madhe ju njoftojmë për konceptin e ri të EDUINO-uebinarëve, një seri që synon të përmirësojë dhe promovojë aftësitë e edukatorëve në të gjithë vendin tonë, duke përpunuar tema aktuale dhe novatore në fushën e arsimit.

Një prej prioriteteve më të larta të projektit EDUINO është krijimi i një komuniteti që përfshin edukatorë dhe punonjës të arsimit të cilët vazhdimisht investojnë në rritjen dhe zhvillimin e tyre profesional, dhe përmes kësaj kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së arsimit në tërësi. Duke u nisur nga ky qëllim dhe duke i marrë parasysh rekomandimet tuaja për përmirësim, edicioni i sivjetmë i Eduino-uebinareve është krijuar me fokus në zbatimin e njohurive të fituara si dhe metodave mësimore novatore, të mbështetura nga teknologjitë e reja.

Shënim: Një pjesë e temave dhe/ose datave ka mundësi të ndryshohen.

Çfarë janë EDUINO-uebinaret?

EDUINO-uebinaret janë evenimente interaktive, joformale online, ku pjesëmarrësit kanë mundësi të ndjekin ligjërata me tema aktuale, novatore dhe të avancuara nga sfera e arsimit përmes shembujve të praktikave dhe këshillave të mira nga praktikat e kolegëve të tyre. Evenimentet janë menduar që të ofrojnë mundësi për të parashtruar pyetje dhe për t’u konsultuar me ligjëruesit rreth disa formave, metodave, teknikave dhe instrumenteve për realizimin e procesit të mësimdhënies moderne.

Lexoni më shumë për:
Eduino-uebinarin e parë, Eduino-uebinarin e dytë, Eduino uebinarin e tretë

Cilat janë risitë?

Aksesi në informacione, temat që do të përpunohen si dhe procesi i përvetësimit të aftësive dhe njohurive të reja janë pjesë e ndryshimeve kryesore në konceptin e ri të EDUINO-uebiniareve. Në bazë të fidbekut tuaj, për serinë e sivjetme të uebinareve, kemi përgatitur një ueb faqe të posaçme (www.eduino.mk) në të cilën janë sqaruar të gjitha detajet për konceptin e sivjetmë, mënyrën e regjistrimit të evenimenteve, procesin e regjistrimit të aktiviteteve për t’u pajisur me certifikata për njohuritë e aplikuara dhe të gjitha detajet tjera që mund t’ju interesojnë për EDUINO-uebinaret 2021.

Gjithashtu, këtë vit i kemi kushtuar vëmendje të veçantë mënyrës dhe procedurës me qëllim të rritjes së vlerës së certifikatave. Vetë koncepti parasheh që si parakusht për të marrë njërën nga dy llojet e certifikatave, është realizimi i aktiviteteve nga ana e pjesëmarrësve. Ky proces është përgatitur me qëllim për t’u mundësuar dëgjuesve të fitojnë përvojë serioze praktike. Me qasjen e tillë të përmirësuar, të gjithë pjesëmarrësit do të kenë mundësi që të marrin dy certifikata: certifikatë për njohuritë e fituara dhe/ose certifikatë për njohuritë e aplikuara.

Si merret certifikatë për njohuritë e fituara?  

Menjëherë pas përfundimit të uebinarit, duke ndarë një link në Google forms, dëgjuesve do t’u hapet një kuiz me dhjetë (10) pyetje, prej të cilave, për ta marrë certifikatën për njohuritë e fituara, duhet të përgjigjen saktë të paktën shtatë prej tyre (ose 70%). Zgjidhja e kuizit do të jetë e mundshme vetëm pesëmbëdhjetë minutave (15 min.) pas evenimentit. Është e domosdoshme të theksohet se certifikatën e parë mund ta marrin vetëm ata dëgjues që janë regjistruar dhe që kanë mundësi ta ndjekin ligjëratën drejtpërdrejt.

Si merret certifikatë për njohuritë e aplikuara? 

Certifikata e dytë për aplikimin e njohurive të fituara (njohuritë e aplikuara), parasheh përgatitjen e një aktiviteti. Pas përfundimit të çdo uebinari, është paraparë që ligjëruesi të caktojë dy aktivitete prej të cilëve pjesëmarrësi mund ta zgjedh njërën. Me realizim prej 60%, të konfirmuar nëpërmjet vetëvlerësimit nga ana e dëgjuesit dhe vlerësim nga ligjëruesi, dëgjuesi merr certifikatën për njohuritë e aplikuara. Me rëndësi të veçantë është që të potencohet se me certifikatën e dytë do të pajisen të gjithë dëgjuesit që janë regjistruar paraprakisht por që nuk kanë pasur mundësi ta ndjekin drejtpërdrejt ligjërimin. Për ta është paraparë mundësi që në afat prej dhjetë ditëve pas realizimit të uebinarit, ta shikojnë incizimin e tij, ta përgatitin aktivitetin dhe të parashtrojnë raport për aktivitetet e realizuara si dhe vlerësimin, me ç’rast edhe ata të kenë mundësi për të marrë certifikatë për njohuritë e aplikuara.

Të gjithë mësimdhënësit dhe profesorët që do t’i ndjekin uebinarët, do të marrin udhëzime konkrete për atë se: si ta përmirësojnë metodikën e mësimdhënies moderne; si të zhvillojmë një komunikim efektiv sinkron dhe si të shfrytëzohen mjetet gjatë komunikimit asinkron. Pjesëmarrësit do të mësojnë si të zbatohen në praktikë idetë e mira; si dhe do t’u mundësohet njoftimi me metodat dhe teknikat novatore për përvetsimin e aftësive. Edukatorët do t’i mësojnë mënyrat e motivimit të nxënësve gjatë komunikimit online; si të aplikohen risitë e reja teknologjike dhe pedagogjike dhe si të jenë pjesë e mësimit të përditshëm; si të krijojnë një qasje atraktive pedagogjike me çka do ta transmetojnë programin mësimor në mënyrë që do ta ketë vëmendjen e nxënësve dhe ta ngjallë kureshtjen e tyre. Me gjithë këtë bëhet krijimi i mundësive për bashkëpunim ndërmjet të gjithë edukatorëve brenda shtetit duke ndarë idetë dhe praktikat novatore.

Shpresojmë se me qasjen e tillë të përmirësuar që ka për qëllim përsosjen e shkathtësive tuaja krijojmë një sistem për dhënien dhe ndarjen e njohurive. Qasje që ka rëndësi të jashtëzakonshme për ju, por edhe për kolegët tuaj që punojnë dhe kontribuojnë me përkushtim për rritjen dhe zhvillimin tuaj profesional.

Për më shumë informata rreth Eduino-uebinareve, na ndiqni në rrjetet sociale të Eduino – portalit kolektiv për përmbajtje dixhitale, Facebook dhe Instagram ose në eduino.mk dhe informohuni ndër të parët se çfarë është e ardhshme.

Ju dëshirojmë shumë sukses në rritjen dhe zhvillimin tuaj profesional!

Ekipi EDUINO!