
“Bota në sytë e fëmijëve është vend i mrekullueshëm.” – me këtë fjali e filluam bisedën me Marina Stanisllavova, njëherë me të njëjtin mendim e filluam edhe Edu Talks-in e dytë për këtë muaj me temën motivimi te fëmijët e moshës nga 3 deri në 10 vjet. Marina Stanisllavova është mësuese e grupit klasor në SHFK “Strasho Pinxhur” në Negotinë dhe njëherë është trajnuese nacionale dhe ka rolin e koordinatores dhe edukatores në disa projekte. Me të biseduam se sa është i rëndësishëm motivimi te fëmijët, me ç ’rast ajo na ndau nga përvoja e saj disa shembuj interesant për edukatorët, siç janë lojërat: “Pauza motivuese”, “Përroska”, “Figurat lozonjare” dhe na dha këshilla të dobishme për prindërit.
E pyetëm se në cilën moshë fëmijët fillojnë që ta zhvillojnë motivimin dhe çfarë rëndësie kanë prindërit dhe edukatorët në zhvillimin e motivimit?
“Zhvillimi i motivimit është një proces që duhet të fillojë nga mosha më e hershme dhe mund të forcohet përmes: përkrahjes, inkurajimit, lojërave për qëndrueshmëri dhe këmbëngulje, shumë dashuri, liri, lojë, detyra sfiduese, pavarësi, detyra projektuese, aktivitete grupore.”
Duhet që t’u lejojmë ta hulumtojnë dhe zbulojnë botën e tyre. Fëmijët bëjnë shumë punë, thjeshtë sepse dëshirojnë që t’i bëjnë. Që nga mosha e hershme fëmijët e vegjël mësojnë nga të gjitha të bëmat e tyre. Ata janë nga natyra kurioz, dëshirojnë që të hulumtojnë dhe zbulojnë. Nëse hulumtimet e tyre sjellin kënaqësi ose sukses, do të duan të mësojnë më shumë. Gjatë viteve më të hershme, fëmijët formojnë qëndrime për mësimet që do të zgjasin tërë jetën. Fëmijët që marrin përkrahje dhe inkurajim të vërtetë gjatë zhvillimit të hershëm fëmijëror, do të jenë hulumtues kreativ me një shpirt dhe dëshirë aventuriere, me motivim të brendshëm për të arritur qëllime të larta në mësim dhe në jetë.
Prindërit/edukatorët e fëmijëve të vegjël, duhet të kenë qëllim që ta përkrahin zhvillimin e motivimit, në mënyrë që të kenë bazë adekuate për rritje dhe zhvillim optimal.“ – na sqaroi Marina.
Gjatë bisedës shkëmbyem mendime se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të bëjnë prindërit gjatë procesit të motivimit të fëmijëve në procesin mësimor, ndërsa Marina na dha një mendim personal në këtë temë përmes 3 këshillave të dobishme:
“Këto janë rekomandimet e mia për prindërit, në forcimin e mësimit te fëmijët:
- Përgjegjësinë e mësimit lërjani fëmijës: Prindërit duhet që në etapa, hap pas hapi në mënyrë adekuate me moshën t’i lejojnë përgjegjësitë fëmijës në lidhje me shkollën. Për shembull: përgatitja e çantës shkollore, detyrave të shtëpisë, ngritjes dhe përgatitjes në kohë për në shkollë. Fëmijët e marrin këtë përgjegjësi kur bisedohet me ta për: çfarë dëshirojnë ata, cili është interesi i tyre, çfarë dëshirojnë të arrijnë, të ndajnë ndodhi nga shkolla me prindërit, e jo vetëm suksesin ose notat e tyre. Në këtë mënyrë fëmijët do të motivohen më shumë, e jo vetëm të arrihet suksesi për ti kënaqur pritshmërinë e prindërve.
- Realiteti kundrejt perfeksionimit: Fëmijët që kanë përshtypje se asnjë herë nuk është mjaft mirë, se “katërshi” ose “treshi” janë shumë “nota të këqija” dhe me pyetjet e prindërve: “Pse nuk more pesëshe, duhej të mundohesh më shumë?!, mund të jenë dekurajuese për mësim dhe punë sepse do kenë mendimin “Çfarëdo që bëjë nuk do të jetë mjaftueshëm mirë.”.
Edhe pse perfeksionistët që supozohet se janë më të suksesshëm në shkollë, duhet që të punohet me kujdes në procesin e motivimit te fëmijët, sepse nëse ata kanë presion të madh, asnjëherë nuk do të jenë të kënaqur më asnjë sukses të tyre, sepse sipas tyre, asnjëherë nuk do të jenë të përkryer. Prindërit mund të ndihmojnë në këtë proces, nëse e dinë se sa mundet fëmija i tyre, se cilat sfera e interesojnë e cilat jo. Për këtë arsye është mirë që fëmija të dijë se ku është më i/e mirë, cilat janë anët ose aftësitë e tij të forta dhe të dobëta – në atë që mund të jetë i suksesshëm. Për fëmijën është më së miri kur prindërit nuk kanë pritje tepër të mëdha, sepse pritjet e stërmëdha (joreale) e dëmtojnë fëmijën. Me rëndësi është që prindi të potencojë se më tepër vlerësohet përpjekja dhe procesi i mësimit te fëmija se sa vetë nota ose “pesëshja”.
Prindi duhet të kuptojë se çfarëdo note që merr fëmija është pozitive për të dhe se ajo është pikërisht ajo e merituara dhe do ta përkrah si një sukses solid, por edhe të motivohet për përmirësimin e tij. - Tregoni respektim, përkrahje, dhe me kujdes përzgjidhni një shpërblim për motivim:
Prindërit duhet të kenë shumë tolerancë kur fëmija do të gabojë, të tregojnë mirëkuptim dhe ta orientojnë fëmijën, e jo të veprojnë sipas asaj që ata e ndiejnë, sepse kjo ta ndihmojë motivimin e mëtejmë për të arritur qëllimet në shkollë dhe në sferat e tjera të jetës. Fëmijës i nevojitet besim dhe inkurajim se ajo mund të arrihet dhe se mund të zgjidhë disa detyra të caktuara të punës. Nuk duhet të zbatohet: “Patjetër duhesh” ose “Patjetër duhet ta mësosh atë!”, sepse në këtë mënyrë do ta forcojmë rezistencën ndaj detyrës. Mund të themi “Pusho, e pastaj vazhdo.”, ta pyesim se çfarë do të ndodhë nëse nuk e përfundon aktivitetin apo detyrën e filluar, etj. Me shumë mirëkuptim dhe përkrahje të fëmijës do të kuptojë se duhet të mësojë dhe të kthehet në detyrën e dhënë.
Prindërit gjithashtu duhet të jenë shumë të kujdesshëm në lidhje me përdorimin e shpërblimeve nga jashtë, sepse ajo mund të krijojë huti në zhvillimin motivues të fëmijës. Lëvdatat për arritjet janë adekuate, por sigurohuni gjithmonë se fëmija juaj e përpunon aktivitetin e dhënë sepse ka interesim të vërtetë, e jo sepse pret lëvdatë nga ana juaj. Vështirësitë paraqiten kur të rriturit ose të tjerët në mjedisin e fëmijës i fusin shpërblimet e jashtme dhe e zëvendësojnë sistemin e brendshëm të shpërblimit me një sistem që varet nga fuqi të jashtme për të siguruar të gjitha shpërblimet (çokollatë, para, lëvdata të tepruara, shumë dhurata). Fëmijët më pas fillojnë të ndihen të suksesshëm vetëm nëse dikush i shpërblen për arritjet. Ata e humbin motivimin e tyre të brendshëm dhe do të ndjejnë sukseset vetëm kur dikush tjetër do t’i vlerësojë si të suksesshme. Në këto situata, fëmijët ndoshta edhe nuk do ta zhvillojnë ndjesinë e vetë respektit dhe do ta vlerësojnë vlerën personale sipas standardeve të huaja.”
Kur e përmendim suksesin dhe vetëbesimin, u parashtrua pyetja se sa ndikon ndërtimi i vetëbesimit ndaj motivimit te fëmijët ose se si njohja e suksesit në lojërat dhe detyrat e realizuara nga ana edukatorëve dhe prindërve, ndikon në motivimin, andaj Marina na shpjegoi:
„Fëmija asnjëherë nuk duhet të pyes: “A jam i/e suksesshëm?”. Atë duhet ta dijë dhe të jetë i sigurt në sukseset e veta. Gabimi qëndron aty se gjithnjë e më shpesh vërehet mossuksesi se sa suksesi. Prindërit dhe mësuesit duhet ta ndihmojnë fëmijën që të krenohet dhe ta ndjejë suksesin, madje edhe më të voglin që duket si i parëndësishëm. Për shembull, një këngë e kënduar në çerdhe, në korr, kur do të mësojë të ngasë biçikletën, të notojë, të përpilojë mozaikun, etj. Sukseset e vogla mund ta nxisin fëmijën që të vendos qëllime dhe detyra më ambicioze (më të larta). Të mos anashkalohet dhe të refuzojë të njoh suksesin e tij, sepse ajo çon drejt vetëbesimit dhe vetë respektimit të ultë te fëmijët, që edhe ndikon në motivimin e fëmijëve.”
Biseda vazhdoi rreth shembujve dhe propozimeve interesante për forcimin e motivimit të fëmijëve që ajo si mësuese, edukatore i zbaton gjatë punës së vet:
“Së pari, gjatë përzgjedhjes së aktiviteteve (detyrave) që ua jap nxënësve të mi, bëj kujdes që të mos jenë tepër të lehta, por as tepër të rënda për ta zgjuar motivimin dhe dëshirën për punë, në fakt ato duhet të jenë një shkallë më të vështira se sa të zakonshmet.
Kur vërej se motivimi dhe përqendrimi bie dhe nuk janë në gjendje që të vazhdojnë me zgjidhjen e një detyre të caktuar, kaloj në lojë – “Pauzë motivuese”, me të cilën në ato disa minuta, nxënësit e luajnë lojën e preferuar, vallëzimin e preferuar, këngën, aktivitetin sportiv dhe pas pauzës vazhdojnë me zgjidhjen e detyrës. Për përqendrim dhe motivim, gjithashtu rregullisht e zbatoj edhe aktivitetin – “Rrihi duart në tre”.
Fëmijët renditen në rreth dhe fillojnë me numrin nga 1shi. Varësisht nga mosha, ata i rrahin duart në numrat që e përmbajnë shifrën 3 ose shumëzuesit e shifrës 3 (vetë aktiviteti mund të plotësohet duke shtuar numra të tjerë), nëse gabojnë, ulen në karrige.
Edhe një aktivitet që e praktikoj me qëllim që të pushojnë gjatë një detyre të caktuar dhe që ta forcojnë motivimin është “Udhëtimi symbyllur”. Të gjithë janë me sy të mbyllur, kurse unë i udhëheq nëpër vende magjike që ata i paramendojnë, i vizualizojnë. Gjithashtu i zbatoj edhe stikerët e letrës gjatë arritjes së një suksesi të caktuar ose mundi të dhënë (përpjekje) për të realizuar një aktivitet të caktuar.
Gjithashtu mund të zgjidhni nga propozimet e mia aktivitete të lojërave nga platforma Eduino të cilat ndihmojnë për të forcuar interaksionin social, vetëbesimin, këmbëngulësinë, kreativitetin, frymën hulumtuese, logjikën dhe njohurinë që çon drejt përmbushjes së brendshme dhe dëshirës për mësim:
Kjo është vetëm një pjesë e aktiviteteve në lojëra që ndihmojnë për të forcuar motivimin dhe dëshirën për të mësuar. Ato mund të realizohen edhe në kushte shtëpiake, ndërsa janë të përgatitura nga ana e edukatorëve të dëshmuar në profesionin e tyre.”
Marina potencoi se praktikon që edhe lëndët mësimore t’i ligjërojë përmes lojës dhe përmes aktiviteteve interesante që janë joshëse për nxënësit, ndërsa rregullisht zbaton mësimin motivues të matematikës përmes lojës:
“Njëra prej tyre është “Përroska”. Në një letër të madhe e të kaltër i rendis guralecët me numra, ndërsa nxënësit duhet të kalojnë nëpër guralecët që janë numra çift ose tek për të mos rënë në ujë. Varësisht nga ajo që mësohet mund të shfrytëzohen edhe për mbledhje, dallim, produkt, etj. Gjithashtu, një lojë interesante për njohuri të matematikës, durimit dhe logjikës është “Figurat lozonjare” nga portali Eduino me të cilën do ta zgjeroni njohurinë e nxënësve përmes lojës.”
Sipas Marinës, ashtu siç ngjiten fëmijët nëpër shkallët e sistemit arsimor, ashtu rritet edhe shqetësimi dhe stresi i tyre, ndërsa në atë mënyrë ulet edhe motivimi dhe dëshira e brendshme për mësim. Ajo thotë:
“Kur do t’i lavdërojmë fëmijët për mundin e tyre, e jo për rezultatin, notën, shpërblimin, trofeun e tyre përfundimtar, por për rrugën e kaluar për të arritur rezultatin (mundin që e kanë dhënë), në këtë mënyrë e forcojmë motivimin e tyre të brendshëm. Nga përvoja ime si mësuese konsideroj se edhe motivimi i jashtëm (shpërblimet, lëvdatat) dhe ai brendshëm (kënaqësia e brendshme për potencialin dhe mësimin personal) janë shumë të rëndësishëm për arritjen e qëllimeve, andaj varësisht nga vlerësimi i mësuesit duhet të bëhet kujdes kur praktikohet motivimi i jashtëm.”
Në edicionin e radhës do të flasim me EDUINO ambasadorin, Ramiz Iljazi në temë “Informatikën e kam në zemër”.
Deri në leximin e radhës, motivoni vetveten dhe bëhuni motivim i vërtetë për fëmijët.
I juaji, #EduTalks.